Secondary Adv

Industria në 2025/ Rritet prodhimi i çimentos, betonit dhe llaçit, bien nafta dhe kromi

Industria shqiptare pati ecuri të ndryshme në 2025, me rritje te materialet e ndërtimit dhe rënie të fortë te nafta e kromi.

Prodhimi industrial në Shqipëri gjatë vitit 2025 ka shfaqur një ecuri të diferencuar mes sektorëve, me rritje të prodhimit dhe shitjeve në një pjesë të industrisë përpunuese dhe materialeve të ndërtimit, ndërsa industria nxjerrëse ka regjistruar rënie të ndjeshme në disa prej produkteve kryesore.


Të dhënat e Anketës së Produkteve Industriale, të publikuara nga INSTAT, tregojnë se prodhimi i çimentos Portland, betonit të gatshëm, bukës dhe sistemeve të fijeve elektrike për automjete u rrit gjatë vitit të kaluar. Në kahun tjetër, prodhimi dhe veçanërisht vlera e shitjeve të naftës bruto dhe kromit shënuan rënie.


Rritet prodhimi i çimentos dhe betonit

Një nga zhvillimet më të dukshme lidhet me industrinë e materialeve të ndërtimit. Prodhimi i çimentos Portland arriti në 1.993 milionë tonë, nga 1.944 milionë tonë në vitin 2024, ose 2.5% më shumë. Vlera e shitjeve të çimentos arriti në rreth 19.4 miliardë lekë, nga 19.2 miliardë lekë një vit më parë.


Edhe prodhimi i betonit të gatshëm për përdorim u rrit me 3.5%, duke arritur në 1.766 milionë tonë, nga 1.706 milionë tonë në vitin 2024. Vlera e shitjeve u rrit nga rreth 13 miliardë lekë në 13.7 miliardë lekë.


Të dhënat konfirmojnë një aktivitet të lartë të industrive të lidhura me ndërtimin. Përveç çimentos dhe betonit, INSTAT evidenton se, ndër produktet kryesore, rritjen më të lartë të vlerës së shitjeve gjatë vitit 2025 e regjistroi llaçi i prodhuar në fabrikë, me 19.5%, ndërsa shitjet e aluminit të lidhur të papërpunuar u rritën me 15.4%.


Rritje te sistemet elektrike për automjete dhe prodhimi i bukës

Një tjetër segment me rritje ishte ai i sistemeve të fijeve elektrike të izoluara për përdorim në automjete. Prodhimi arriti në 263.046 milionë copë, nga 241.986 milionë në vitin 2024, duke u rritur me 8.7%. Vlera e shitjeve u rrit nga rreth 8.7 miliardë lekë në 9.55 miliardë lekë.


Rritje të konsiderueshme regjistroi edhe prodhimi i bukës së freskët. Gjatë vitit 2025 u prodhuan 67.224 tonë bukë, kundrejt 62.016 tonëve një vit më parë, ose 8.4% më shumë. Vlera e shitjeve u rrit edhe më shpejt, me 11.1%, duke arritur në pothuajse 7 miliardë lekë.


Edhe industria e pijeve shënoi rritje. Prodhimi i ujit mineral dhe ujit të gazuar, jo të ëmbëlsuar, arriti në rreth 5.09 milionë hektolitra, ndërsa vlera e shitjeve u rrit nga 8.29 miliardë lekë në afro 8.96 miliardë lekë, ose 8% më shumë. Për pijet joalkoolike, prodhimi arriti në rreth 1.24 milionë hektolitra dhe vlera e shitjeve në 7.45 miliardë lekë.


Prodhimi i naftës bruto bie me 11.5%

Pamja është e ndryshme në industrinë nxjerrëse. Prodhimi i naftës bruto ra nga 716.435 tonë në vitin 2024 në 634.335 tonë në vitin 2025, një tkurrje prej rreth 11.5%. Edhe më e fortë ishte rënia e vlerës së shitjeve, nga 29.9 miliardë lekë në 22.65 miliardë lekë, ose 24.3% më pak.


Tkurrje të konsiderueshme pati edhe kromi. Prodhimi i xeherorëve dhe koncentrateve të kromit zbriti nga 588.047 tonë në 502.807 tonë, ndërsa vlera e shitjeve ra nga rreth 14.9 miliardë lekë në 11.35 miliardë lekë, ose 23.9%.


Industria ushqimore mban peshën më të madhe në shitje

Pavarësisht këtyre lëvizjeve, struktura e shitjeve industriale tregon se industria ushqimore mbetet aktiviteti me peshën më të madhe. Sipas INSTAT, prodhimi i produkteve ushqimore përfaqëson 16.4% të vlerës së shitjeve të produkteve industriale, i ndjekur nga prodhimi i produkteve të tjera minerare jo metalike me 14.4% dhe metalurgjia me 8.4%.


Në tërësi, gjatë vitit 2025 u regjistrua rritje e dukshme në industrinë ushqimore dhe në prodhimin e produkteve minerare jo metalike, ndërsa nxjerrja e naftës dhe e mineraleve metalore shënoi rënie krahasuar me vitin 2024.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat